Ushqimet që mund të konsumohen edhe pas datës së skadencës
Jo të gjitha ushqimet mund të hidhen pas datës së skadencës. “Shumë prej tyre mund të konservohen dhe të konsumohen pas kësaj date”, kanë rënë dakord ekspertët e kësaj fushe.
Dhe kështu, duke marrë në konsideratë që, veçanërisht në Britani të Madhe hidhen mbi katër milionë tonelata ushqim të skaduar (që në të vërtetë mund të konsumohen pa ndonjë rrezik për shëndetin) Dan Cluderay, pronari i uebsajtit “Approved Food” (ku shiten me çmime të ulëta ushqime që kanë kaluar datën e skadencës) ka listuar ushqimet që mund të konsumohen pa problem edhe pas skadencës.
Sepse, siç ka shpjeguar Cluderay, ekziston një dallim i madh mes referencave të etiketave që shoqërojnë ushqimet: “Preferohet të konsumohet brenda datës …”, që do të thotë se ai ushqim mbetet i ngrënshëm edhe pas asaj date.
Fqinjët, sikurse edhe ne, prej krizës duket se po bëhemi gjithnjë e më shumë të ndjeshëm ndaj temës së çuarjes dëm të ushqimeve. Nga ana tjetër, siç ka thënë Cluderay, “personat po ndryshojnë sjelljen e tyre: paratë kanë një vlerë domethënëse dhe njerëzit kanë filluar të kuptojnë se nuk duhet të çojnë kot asnjë cent prej tyre”. Pra, më poshtë po sjellim listën e hartuar nga “Approved Food” të dhjetë produkteve që mund të konsumohen edhe pas datës së skadencës.
Qumështi
Qumështi mund të konsumohet deri në momentin kur ai mund të mbajë erë të keqe dhe të trashet.
Vezët
Për të kuptuar se vezët janë ende të mira, mjafton të përdorni një “metodë të gjyshes” duke i vendosur ato në një enë me ujë: nëse dalin në sipërfaqe ose “notojnë” ato duhet t’i hidhni (në brendësi të tyre mund të jenë grumbulluar baktere dhe gaz). Por nëse zhyten, do të thotë se janë akoma të mira.
Patatinat
Sasia e madhe e kripës e pranishme në brendësi të pakos me patatina bën që ato të konsumohen për një kohë të gjatë.
Kosi me fruta
Këtë gjë e dinë shumë pak njerëz: kosi me fruta mund të zgjasë gjashtë javë pas datës së skadencës. Në rastin kur krijohet myk sipërfaqësor, mjafton ta hiqni me një lugë dhe të hani pjesën e fundit.
Çokollata
Diskutim i njëjtë si ai për patatinat, por në këtë rast ajo që garanton konsumimin e saj edhe pas skadencës, është sasia e sheqerit.
Djathi i ndenjur
Nëse krijohet pak myk është e thjeshtë ta hiqni me një thikë. Ndërkohë, kujton Cluderay, shumë djathëra (si për shembull gongorzola) janë të bërë me myk. Absolutisht për t’u shmangur janë djathërat e butë, si për shembull “brie” ose “camembert”.
Ketçapi
Nëse mbahet në një vend të freskët, të thatë dhe në frigorifer, ketçapi mund të konservohet edhe për një vit pas datës së skadencës.
Frutat dhe perimet
Në këtë rast vlen rregulli i mendimit praktik: nëse nuk kanë myk dhe nuk janë të qullëta, atëherë frutat dhe perimet mund të hahen pa asnjë problem.
Orizi
Orizi mund të zgjasë disa muaj ose madje edhe vjet nga data e përcaktuar si afat përfundimtar konsumimi.
Buka
Edhe pse mund të jetë pak e ndenjur ose e thatë, buka gjithsesi mund të ngrohet në furrë. E rëndësishme është ta kontrolloni mirë për myk në sipërfaqe dhe në brendësi.
Burimi: Gazeta-Shqip.com