Ushqime

Sheqeri, ja se çfarë duhet të dini për të

Sheqeri është një nga përbërësit më të konsumuar në botë. Megjithatë për të, mbase dini shumë pak. Ndaj në këtë artikull do të gjeni kuriozitete vërtet interesante rreth tij

Kuriozitete

Është i ëmbël, i bardhë dhe i ndritshëm. E përdorim shumë: kur hamë mëngjesin, një ëmbëlsirë ose edhe kur pimë kafen. Ai është sheqeri, një nga elementet bazë që absolutisht nuk mund të mungojë në asnjë shtëpi. Sheqeri është një produkt aq i rëndësishëm saqë pa të nuk do të bënim dot. Megjithatë në Europë është bërë edhe pa të prej shumë kohësh, sepse te ne ai erdhi vonë. Madje edhe sot e kësaj dite për sheqerin dihen shumë pak gjëra, që ne vendosëm t’ua sjellim në artikullin e mëposhtëm.

Deri në vitet 1500 sheqeri ishte shumë i shtrenjtë

Teknologjia e nxjerrjes së sheqerit nga bimët nuk u shpik në Europë, por në Lindje. Në këtë mënyrë ai tregtohej shumë shtrenjtë, sepse importohej nga larg. Por, megjithatë ai pati sukses, sepse ishte më pak i kushtueshëm sesa mjalti, ndërsa bimët nga prodhohej mund të kultivoheshin, duke reduktuar në mënyrë drastike kostot.

Sheqeri mund të nxirret nga të gjitha bimët, por ai merret vetëm nga kallami i sheqerit dhe panxhari

Të gjithë kemi dëgjuar të flitet për kallamin e sheqerit dhe të panxharit, të dyja kultura tipike, nga të cilat merret ky përbërës. Megjithatë, sheqeri s’është asgjë tjetër veçse sakarozë, një disakarid bazë që gjendet në të gjithë organizmat bimorë dhe shtazorë. Por vetëm se nxjerrja e tij nga molla për shembull ose nga limoni, nuk është aq ekonomike, pra shpenzimi për ta marrë është më i madh sesa shitja, ndaj edhe përfitohet ekskluzivisht vetëm nga këto dy bimë.

Artikull me interes :   Pica me 254 lloje djathi futet në Librin e Rekordeve Guinness

Sheqeri i kallamsheqerit dhe sheqeri i panxharit janë të njëjtë

Nëse do t’ju pyesnin se çfarë ndryshimi ka mes sheqerit të kallamsheqerit dhe sheqerit të panxharit ka shumë të ngjarë të thoshit se njëri është i bardhë dhe tjetri i kuqërremtë. Por kjo gjë është e gabuar, sepse në të vërtetë të dy janë të bardhë dhe se kur konsumoni sheqer të bardhë nuk e dini nëse po konsumoni atë të kallamsheqerit apo të panxharit, sepse janë identikë. Vetëm se kallamsheqeri prodhon më shumë melasë (përbërës i sheqerit ngjyrë kafe), që i jep sheqerit ngjyrën kafe. Kërkesa më e madhe në treg është për sheqerin e bardhë, i cili më parë rafinohet i gjithë prej kallamsheqerit duke e bërë të bardhë, më pas merret një pjesë e vogël së cilës i shtohet melasë, për t’i dhënë një pamje më natyrale. Pra bëhet fjalë thjesht për një përshtypje.

Artikull me interes :   Vitaminat dhe rëndësia e tyre

Si ia bëjnë kubat e sheqerit që qëndrojnë bashkë?

Jemi mësuar që sheqerin ta shohim si pluhur, të ngjashëm me rërën. Por në të vërtetë ai është i përbërë me shumë kokrriza. Për më tepër e dimë se ekziston edhe sheqer me kokrra më të mëdha në formë kubike dhe që në diferencë me sheqerin normal qëndrojnë në mënyrë të rregullt dhe të përbërë. Arsyeja është e thjeshtë: sheqeri shpëlahet dhe uji luan rolin e “urës” për të bashkuar kokrrat e ndryshme. Më pas sheqeri thahet, por mes kokrrave vazhdojnë të ekzistojnë lidhje të dobëta që gjithsesi i mbajnë bashkë duke u dhënë formën e kubeve.

A mungon sheqeri në organizëm në rast diabeti?

Informacionet që kemi mbi diabetin shpesh janë kundërshtuese: një diabetik ka nevojë për ëmbëlsira, pra duket se i mungon sheqeri, por nga analizat ai rezulton shumë i lartë. Pra diabeti nuk është një mungesë sheqeri, përkundrazi, në gjakun e një diabetiku sheqeri është tepër i lartë, por depërtimi i sheqerit nëpër qeliza ka nevojën e insulinës e cila te ky lloj pacienti është e ulët.

Çfarë është sheqeri krem?

Shpeshherë mund ta keni pyetur veten se çfarë ndryshimi ka mes sheqerit normal dhe sheqerit krem! Shija është e njëjtë, por në bazë të eksperiencës sonë ajo e kremit është më intensive. Kjo sepse sheqeri krem dhe ai normal janë absolutisht e njëjta gjë, por me diferencën e vetme se ai në formë kremi është shtypur (copëtuar) në mënyrë shumë, shumë, shumë fine në krahasim me atë që përdorim zakonisht.

Artikull me interes :   Përbërësit ideal për një mëngjes të shëndetshëm, ushqyes dhe të shijshëm

Me sheqerin është marrë edhe Napoleone Bonaparte

Mbase ju duket e pabesueshme, por çështja e sheqerit u bë një argument shumë i rëndësishëm gjatë dominimit të tij, sepse Anglia, e cila e komercializoi atë, i bllokoi shitjet në vitin 1806 dhe në Francë nuk mbeti më asgjë. Për këtë motiv, Napoleoni i shtyu fermerët që të kultivonin panxharin në territorin francez, për t’i bërë ballë mungesës së sheqerit gjatë atyre viteve.

Sheqeri ekziston për më shumë se 7000 vjet!

Njerëzimi e ka njohur sheqerin plot 7000 vjet më parë, sepse ka të dhëna historike që demonstrojnë se si në këto vite në Polinezi dhe më pas në Kinë, u përdor kallamsheqeri për nxjerrjen e një lëngu të ëmbël që përdorej si në formën e mjaltit, pra bëhet fjalë për llojin e parë të ‘sheqerit” në Antikitet.

Burimi: Curiosone
Përkthimi: Gazeta-Shqip.com