Shëndet

Sëmundjet që mban nën kontroll vitamina C

Vitamina C shërben si mburojë ndaj shumë patologjive dhe është një element ndihmës kundër gripit dhe rrufës.

Disa nga perimet dhe frutat te të cilat gjendet me shumicë, janë: spinaqi, specat, portokalli dhe limoni. Ekspertët e shëndetësisë thonë se kjo vitaminë është një antioksidues natyral shumë i fuqishëm, i cili parandalon plakjen e qelizave si dhe mbron organizmin nga shumë patologji.

Stimulon imunitetin: Vitamina C stimulon mbrojtjen e sistemit imunitar nga shumë sëmundje, që nga rrufa dhe i ftohti e deri te tumoret ose atakët kardiakë. Falë aftësive që ka në aktivizimin e funksionit të limfociteve, qelizat përgjegjëse për mbrojtjen imunitare stimulon prodhimin e substancave kimike mbrojtëse si interferonet. Në këtë mënyrë, na ndihmon të luftojmë rrufën, të ftohtin dhe sëmundjet e rrugëve respiratore, duke përfshirë këtu edhe astmën. Gjithashtu, ka funksion antiinflamator, antiviral dhe minimizon efektin e toksinave të duhanit, ndotjes dhe alkoolit.

Artikull me interes :   Ngrënia e tepërt e bukës mund të jetë shkaku i rënies së flokëve tuaj

Rigjeneron indet: Acidi askorbik ose vitamina C, është shumë e nevojshme për formimin, mbrojtjen dhe stabilizimin e kolagjenit, proteina zëvendësuese në prodhimin dhe riparimin e indeve lidhëse, lëkura, enët e gjakut dhe kockat si dhe në mirëmbajtjen e kapilarëve, mishrave të dhëmbëve dhe dhëmbët. Ajo ndikon edhe në shërimin e plagëve, parandalimin e hemorragjive si dhe riparimin e kockave në rast thyerjeje ose dëmtimi.

Antioksidues tejet i nevojshëm: Funksioni i saj antioksidues na mbron nga radikalet e lira si dhe ndihmon indet nga plakja. Duke bashkëvepruar në sinergji me vitaminën E, na mbron nga sulmi i këtyre entiteteve, duke parandaluar plakjen qelizore dhe duke kufizuar stresin oksidativ. Bashkëveprimi me këtë vitaminë, luan një rol tejet të veçantë edhe në mbrojtjen e lëkurës nga rrezet ultraviolet. Veprimi i fuqishëm antioksidues i acidit askorbik, është efikas edhe në parandalimin dhe trajtimin e llojeve të kancerit.

Artikull me interes :   Dieta mund të përmirësojë shëndetin e të sëmurëve kronikë

Ekspertët thonë se vitamina C luan rol kyç në përthithjen e disa substancave ushqyese, si hekuri, si dhe në aktivizimin e disa të tjerave, si acidi folik. Ndaj, ekspertët këshillojnë që mishin ose perimet t’i spërkatim me lëng limoni ose portokalli. Mbi të gjitha, kjo vitaminë këshillohet të merret nga ata që vuajnë nga anemia. Frutat dhe perimet janë ndër ushqimet që kanë më shumë acid askorbik ose vitaminë C: 100 g kivi përmbajnë 85 mg vitaminë C.

Vitamina C ndërhyn në sintezën e disa substancave, si: norepinefrina, hormoni adrenokortikotropik, si dhe hormonet steroide, të cilat janë substance që prodhohen në situata stresi për të reaguar ndaj rrezikut.

Aftësia e organizmit për të përthithur vitaminën C ulet si pasojë e: duhanpirjes, stresit, temperaturës së lartë si dhe përdorimit të aspirinës. Madje doza të larta mund të shkaktojnë edhe shqetësime gastrointestinale, si ngërçe dhe diarre.

Artikull me interes :   Çfarë ndodh me qafën nëse shikoni shumë celularin?

Mungesa e vitaminës C sjell problem në sistemin tretës: Një ushqim i varfër me acid askorbik ose probleme metabolike në përthithjen e tij, mund të shkaktojnë fillimin e skorbutit, një sëmundje sistematike e cila shfaqet me inflamacion, gjakosje të mishrave të dhëmbëve, dobësi dhe anemi të theksuar. Ekspertët e Shëndetësisë thonë se mungesa e vitaminës C mund të sjellë vështirësi në tretje, anemi si dhe shërim të ngadaltë të plagëve.

Burimi: Agjencia Telegrafike Shqiptare