Receta

Sallata Çezar, e shijojmë kur e kemi mbi tavolinë por a e dini historinë e kësaj pjate?

A e dini se receta e sallatës Çezar e ka zanafillën nga Meksika? Thuhet se pronari i restorantit, italiani Caesar Cardini, krijoi një pjatë sallate në vitin 1924 në Tijuana, Meksikë.

Pas Luftës së Parë Botërore dhe largimit nga Milano – Itali, Caesar vendosi të hapë një restorant me vëllain e tij. I pozicionuar jo shumë larg nga kufiri me Amerikën, ata menduan se do të tërhiqnin shumë klientë në restorant, duke shfrytëzuar situatën dhe irritimin e amerikanëve pas ndalimit të konsumit dhe prodhimit të pijeve alkoolike.

Sipas Rosa Cardini – vajzës së Caesar, më 4 korrik 1924, në ditën e pavarësisë së SHBA-së, restoranti ishte plot me klientë dhe përbërësit në kuzhinë ishin duke përfunduar. Cardini mendoi të përgatiste një sallatë me ato cfarë kishin mbetur, që përfshinin sallatë marule, vaj ulliri, vezë, hudhër, djathë Parmigiano dhe salcë Worcestershire.

Artikull me interes :   Pasta me pesto rrepash

Kjo sallatë e shijshme u emërtua pas krijuesit të saj dhe nisi të bëhej popullore pas vizitave të emrave të famshëm të Hollivudit dhe u prezantua në Europë nga Wallis Simpson.

Në vitin 1953, Shoqëria Ndërkombëtare e Epikurisë e shpalli sallatën Çezar si kontributin më të madh të Amerikës në kuzhinën botërore.

Përbërësit për sallatën:

▪ 200 gr fileto pule
▪ 1 fetë buke të thekur
▪ Sallatë jeshile
▪ 50 gr djathë Parmigiano në copa të vogla
▪ 5-6 domate qershi sipas dëshirës

Përbërësit për salcën:

▪ 100 ml majonezë
▪ 40 ml qumësht
▪ 40 gr djathë parmigiano i grirë
▪ 1 lugë gjelle mustardë
▪ 2 lugë gjelle lëng limoni
▪ 1 thelbi hudhër

Artikull me interes :   Derri i egër i zier ngadalë

Përgatitja:

Përbërësit e salcës i fusim të gjithë bashkë në mikser dhe i përziejmë deri sa të bëhet një masë homogjene në formë salce.

Filetat e pulës i presim në kubikë të vegjël dhe e skuqim me pak vaj ulliri, kripë dhe piper.

Bukën e thekur e presim në kubikë gjithashtu dhe e hedhim bashkë me filetat e pulës sipër sallatës së gjelbër dhe djathit në copa.

Në fund shtojmë salcën sipas dëshirës.

Burimi: prof.dr.Anila Kalleshi, nutricioniste klinike