Rrënja e shafranit, e barabartë me një orë sport
Të bësh sport është e shëndetshme. Ne kemi dëgjuar gjithashtu edhe sa e sa herë se sporti u jep kënaqësi njerëzve, u ndryshon jetën, i motivon madje për t’u rritur edhe profesionalisht, pasi “një mendje e shëndoshë, me trup të shëndoshë” apo jo?
Por për një pjesë të konsiderueshme të njerëzimit, e cila nuk ka kohë, zell apo mundësi ta ushtrojë atë, shkenca duket se ka tashmë një lajm të mirë:
Shëndeti i zemrës
Ju mund të hani thjesht një lugë nga pluhuri i një “erëze magjike” në vend të trajnimit e fitnesit, nëse doni të përmirësoni shëndetin dhe ritmin e zemrës suaj e të enëve të gjakut.
Një studim i fundit i ndërmarrë nga University of Tsukuba në Japoni, ka zbuluar se “Curcumin”-i, një përbërës i rëndësishëm i shafranit të Indisë, ose i rrënjës së shafranit të gjelbër, të quajtur ndryshe edhe “Kurkuma”, ushtron thuajse të njëjtin funksion pozitiv mbi shëndetin e enëve të gjakut, sa ç’ushtron krahasimisht edhe nëse do të kryenim aktivitet fizik përgjatë një ore, në palestër apo natyrë qoftë.
32 gra të testuara
Në harkun kohor të tetë javëve, kërkuesit shkencorë të këtij universiteti japonez, analizuan rezultatet e 32 grave, që e kishin kaluar menopauzën, të ndara në tri grupe. Një grup bënte rregullisht ushtrime aerobike, të dytit iu dhanë 150 mg “Kurkuma”, ndërsa i treti shërbente si grup kontrolli. Shkencëtarët analizuan pas kësaj pasojat mbi enët e tyre të gjakut. Muret e damarëve të dy grupeve të para ishin në mënyrë domethënëse më të gjera sesa të grupit të kontrollit. Grupi i “Kurkuma”-s, doli në fund sidoqoftë, pak më mirë sesa grupi i sportit. Me ç’duket, “Kurkuma” i mbron në mënyrë efektive enët e gjakut të grave që kishin kaluar menopauzën. Është pikërisht për këtë arsye kaq e rëndësishme, pasi enët e ngushtuara mund të sjellin arteriosklerozë.
Rreziku i arteriosklerozës
Tek arterioskleroza, nëpërmjet depozitimeve të ndryshme, enët mund të bllokohen. Gjaku nuk mund të qarkullojë më i lirë, çka nën rrethana të caktuara, mund të sjellë edhe infarkt kardiak. Pasojat apo simptomat që mund të pasojnë nga arterioskleroza, janë edhe shkaku më i shpeshtë për vdekjet në vendet e zhvilluara e të industrializuara perëndimore. Kështu që një parandalim i tyre, sigurisht se është tejet i rëndësishëm.
Mos u tërhiqni nga sporti
Një studim tjetër që vijoi më pas, arriti madje në rezultatin se pasojat pozitive mbi shëndetin e enëve të gjakut, janë edhe më të forta e pësojnë kësisoj rritje, nëse kombinohen të dyja – pra, ushtrimi i rregullt i sportit dhe ngrënia e “Kurkuma”-s (Curcuma longa). Kërkuesit, megjithatë, paralajmërojnë se ndikimi real i rrënjës së shafranit nuk është studiuar akoma në mënyrë të plotë e të thellë. Pra, sigurisht se më e mira do të ishte që askush të mos tërhiqej paraprakisht nga ideja për të ushtruar sport e të jepej tërësisht pas ngrënies së rrënjës së shafranit – duke u besuar verbërisht efekteve që vijnë nga kjo “erëz magjike”, për t’i adaptuar ato më pas si një stil i përshtatshëm jetese.
Përdorimet dhe pasojat
Shafrani përdoret për më shumë se 2500 vjet në Indi e prej shumë vitesh tashmë edhe në Europë e kontinente të tjera. Në fillim përdorej si një ngjyrues për rrobat. Avantazhet mjekësore të kësaj erëze janë vënë në dukje në mënyrë të ngadalshme, por duke evoluar gjatë shekujve. I njohur gjatë kalimit të kohëve për vetitë e tij antiinflamatore, hulumtimi i kohëve të fundit ka zbuluar se shafrani i Indisë është një erëz vërtet magjike.
Duke u dëshmuar e dobishme në trajtimin e gjendjeve të ndryshme shëndetësore nga kanceri, deri te shërimi apo përmirësimi i pacientëve me sëmundjen e Alzheimerit. Sidoqoftë, përveç një liste të gjatë ndikimesh shumë pozitive, shafrani i Indisë reflekton sigurisht edhe disa kundërindikacione, për të cilat një kategori njerëzish të caktuar, duhet të bëjnë kujdes të mos e përdorin.
Kështu, ai nuk duhet të përdoret nga njerëzit që vuajnë prej gurëve në tëmth ose ata me pengime biliare (obstruksione). Megjithëse shafrani i Indisë përdoret shpesh nga gratë shtatzëna, është e rëndësishme që të konsultohen para përdorimit të tij me një mjek gjinekolog, pasi shafrani i Indisë mund të jetë një stimulues i mitrës.
Burimi: Gazeta-Shqip.com