Pse u lejua përdorimi i kanabidiolit, për sportistët në Lojërat Olimpike?
Për herë të parë në historinë e Lojërave Olimpike, kanabidioli (CBD) është lejuar të përdoret nga atletët. Por përdorimi i kësaj substance që vjen nga marijuana (kanabisi) ka sjellë mjaft reagime dhe kritika.
Futbollistja amerikane Megan Rapinoe, që në Olimpiadë tha se kishte përdorur CBD për të shtuar performancën, është kritikuar për promovimin e përdorimit të kësaj susbtance.
Në muajin korrik atletja amerikane Sha’Carri Richardson u pezullua nga Lojërat Olimpike në Tokio 2020 pasi rezultoi pozitive për marijuanë.
Rastet kanë ngjallur polemika mbi mënyrën se si shihet kanabisi dhe format e tjera si CBD-ja nga Agjencia Botërore Anti-Doping (WADA).
Çfarë është CBD-ja?
Bima e kanabisit (marijuana) prodhon substanca kanabinoidesh. Një bimë ka rreth 140 lloje kanabinoidi.
Më e njohura është delta-9-tetrahidrokanabinoli (THC), e cila është shkaktare për efektet kryesore psiko-aktive te ata që marrin marijuanë.
Por CBD nuk është substancë e njëjtë me THC. CBD është pjesë përbërëse e THC-së, që e shkëputur mund të ketë efekt qetësuesi pa dhënë ndjesinë e dehjes si narkotik.
CBD-ja kryesisht përpunohet në formë vaji dhe duhet të përmbajë nivel THC-je më pak se 0.2% për të mos u konsideruar drogë nga shumica e autoriteteve shtetërore.
A është CBD-ja e ardhmja për atletët?
Profesori i neurologjisë, njëherësh kryetar i Shoqërisë së Mjekëve për Kanabisin, Mike Barnes, thotë për Euronews se CBD është qetësues dhe mund të ndihmojë në lehtësimin e ankthit. Sipas tij kjo substancë mund të jetë e dobishme për atletët që mund të kenë stres nga pritshmëritë sportive.
CBD-ja mund të ndihmojë dhe me gjumin. Ky aspekt tjetër mund të sjellë lehtësi për sportistët që udhëtojnë nga distanca të gjata për ndjekjen e eventeve sportive.
CBD-ja gjithashtu mund të ndihmojë atletët me lehtësimin e dhimbjeve. Barnes thekson se kjo substancë nuk mund të shërojë dhimbjet e forta, por mund të jetë e dobishme në lehtësimin e dhimbjeve nga lodhja apo tërheqja muskulore.
Këto tre veçanti të CBD-së mund të ndihmojnë atletët të jenë më rezultativ.
Ka shumë mënyra për ta marrë atë, një nga më të njohurat për atletët është një formë vaji duke vënë disa pika nën gjuhë dhe duke gëlltitur, ose madje mund të hahet në gomë.
Por edhe pse disa atletë kanë përdorur CBD në dietën e tyre sportive për Olimpiadën e këtij viti, ata nuk kanë qenë në gjendje ta përdorin ndërsa ishin në Tokio, kjo për shkak të ligjeve të rrepta të Japonisë kundër kanabisit – ndryshe nga SHBA-të.
Pse THC-ja dhe kanabisi janë të ndaluara, por CBD-ja jo?
Në vitin 2017, WADA hoqi CBD-në nga lista e substancave të ndaluara, por jo kanabinoidët e tjerë. Ndryshimi i rregullit nuk hyri në zbatim të paktën deri më 1 janar 2018, kjo për t’u dhënë kohë atletëve për të filluar përfshirjen e CBD-së në regjimet e tyre sportive.
WADA thotë se “të gjitha kanabinoidet natyrore dhe sintetike janë të ndaluara përveç kanabidiolit (CBD)” dhe se “të gjitha kanabinoidet sintetike që imitojnë efektet e THC janë të ndaluara”.
Por sipas ekspertit Barnes sportistët që kanë përdorur THC penalizohen “padrejtësisht”. Ai thotë se efektet e THC-së janë të diskutueshme nëse “japin apo jo përparësi sportive”, por që e sigurt është se “ato largohen brenda disa orësh”.
Barnes thekson se efektet ikin pavarësisht se substanca qëndron në sistem për pesë deri në shtatë ditë, pasi përthithet nga masat yndyrore dhe mund të shfaqet në mostrat e urinës ose testet e gjakut.
Industria e CBD-së dhe ligjet
Në janar të vitit 2021 Komisioni Evropian ndryshoi qasjen ndaj vajit të CBD-së duke mos e cilësuar më si narkotik, por si “ushqim apo preparat mjekësor”. Qasja e re lejoi që prodhimet CBD të mund të transportohen mes vendeve anëtare.
Barnes thotë se pasi organizma ndërkombëtar si WADA apo OBSH kanë njohur ndryshimet mes CBD-së dhe THC-së, shtete të shumta do të reflektojnë dhe do ndryshojnë gjithashtu qasje.
OBSH tha në një raport të vitit 2020 se “CBD është përgjithësisht e tolerueshme për t’u përdorur në mënyrë të shëndetshme”.
“CBD-ja është tashmë në qarkullim dhe mendoj se do vazhdojë gjatë. Fakti se është bërë popullor është ngaqë njerëzit tani po zbulojnë se funksionon,” – thekson Barnes.
Tregu i CBD-së në Evropë ka njohur rritje të vazhdueshme. Sipas “Grand View Analysis” industria botërore e prodhimit të kësaj substance nga kanabisi pritet të zgjerojë qarkullimin deri në 20 miliardë euro.
Ngjashëm edhe “Brightfield Group” parashikon që tregu të njohë deri në 400% rritje në Evropë.
Substanca CBD përveçse në preparatet mjekësore, po përdoret edhe në produktet kozmetike.
Burimi: Euronews