Peleshi: Prodhimet bujqësore vendase të sigurta nga pesticidet
Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Niko Peleshi, garantoi sot konsumatorët se prodhimet bujqësore shqiptare janë cilësore, të sigurta dhe të shëndetshme.
Në një intervistë për ERTV-në, Peleshi tha se “prodhimet shqiptare janë shumë më pak të ndotura sesa produktet bujqësore të disa vendeve të zhvilluara, anëtare të Bashkimit Europian, për disa arsye”.
“Të trajtosh me pesticide produktet bujqësore do të duhet të kesh para. Fermerët që kanë pak tokë, ose të varfër si ata shqiptarë, e kanë të pamundur që të bëjnë trajtime me pesticide të cilat kushtojnë shumë. Nëse në BE një pemëtore mund të ketë 30 spërkatje në vit, fermerët tanë i spërkatin 12 herë. Ngarkesa e pesticideve është shumë më e ulët se në vende të BE”, – nënvizoi Peleshi, duke shtuar se këtë e them me përgjegjësi.
Si faktin mbështetës të kësaj sigurie, Peleshi solli shifrën e rritjes së eksportit të këtyre produkteve në vendet e BE-së, ku rregullat për cilësinë janë shumë strikte.
“Ne jemi vend eksportues dhe nuk eksportojmë në vende dosido, por në vende të BE, që kanë standarde dhe institucione të sigurisë ushqimore shumë të forta”, – tha ai.
Ministri Peleshi bëri të ditur se gjatë 2018 ka patur 70 000 tonë eksporte, pjesa më e madhe në BE.
“Konsumatori shqiptar duhet të konsumojë pa frikë prodhimet bujqësore shqiptare, ashtu sikundër është sfidë ndërgjegjësimi i fermerëve për të përdorur përherë e më pak pesticide”, – theksoi Peleshi.
Lidhur me një lajm të dhënë nga një medie kombëtare, për një kimikat me emrin “Silikon miks”, që futej ilegalisht në Shqipëri për të rritur artificialisht prodhimet bujqësore, Peleshi tha se ky është totalisht një spekullim.
I pyetur për masat e marra në sezonin turistik, Peleshi theksoi se “sezoni turistik është një sfidë, sepse Shqipëria dyfishohet dhe ka dyfish konsumatorë. Kryesisht në zonën bregdetare ka shumë subjekte që funksionojnë vetëm gjatë sezonit”.
“Për ne është një sfidë, kemi shtuar forcat, por i kemi paraprirë këtij sezoni me një risi, që është vetëkontrolli. Dy muaj më parë kemi dërguar një listë kontrolli në të gjithë operatorët dhe përgjigja ka qenë shumë e mirë”, – tha Peleshi.
Burimi: Agjencia Telegrafike Shqiptare