“Mësimet e Diolës” – libër nga Diola Dosti
Libri ‘Mësimet e Diolës, ushqim për çdo sëmundje’ tashmë gjendet në tregun e Kosovës. Së shpejti do të jetë pjesë edhe e librarive në Maqedoni dhe në Shqipëri, edhe në versionin anglisht.
Libri është një përmbledhje e punës afro 5 vjeçare të nutricionistes dhe dietologes nga Shqipëria, Diola Dosti. Është një libër informativ, kulturor mbi ushqimet, sëmundjet dhe rolin e ushqimeve mbi sëmundjet e përmendura. Sëmundjet rrjeshton sipas alfabetit dhe janë ndër sëmundjet më të shprehura në vendet shqipfolëse.
Aty përfshihen receta, këshilla praktike me ushqime të cilat gjenden afër nesh, ushqimet që duhen evituar, ushqimet që duhen shtuar për një pjesë të mirë të sëmundjeve. Por është interesant fakti se libri duket se është edhe një kërkim shkencor pasi për secilin material të publikuar, ka një referencë të marrë kryesisht nga pubmed, si burimi më i sigurtë për sa i përket materialeve shkencore.
Është një libër i një lloji që ka munguar në gjuhën shqipe, me materiale të rralla të cilat mund t’ju shërbejnë të gjithëve. Kjo sepse gjuha e përdorur është e thjeshtë dhe e alternuar që do të thotë se mund ta lexojnë edhe individët që jo domosdoshmërisht janë profesionistë të fushës.
Mund t’ju shërbejë studentëve të mjekësisë, të shkencave natyrore, të bujqësisë, teknologjisë ushqimore etj.
Libri kushton 10 euro dhe është botuar nga Magjia e Librit.