Receta

‘Mbreti” i tavolinës së Vitit të Ri

Ndonëse vitet kalojnë, shqiptarët i mbeten besnik traditës në tryezat familjare të vitit të ri  ku gjeli i detit dhe përsheshi shoqërues zënë vendin kryesor. Përgatitjet tashmë kanë filluar  me blerjen e perimeve, mishit, gjelit dhe frutave. Mbreti i mbrëmjes mbetet gjeli i pjekur i cili është një karakteristikë e darkës së fundvitit.

Ju vijmë në ndihmë me një recetë  për përgatitjen e tij

Gjel deti me salcë gështenjash

Për 4-5 persona nevojiten:

Gjel deti (3- 4 kg)

200 g gjalpë

1 filxhan çaji gështenja të qëruara

1 kokërr hudhër

uthull

kripë

piper 

Përgatitja:

Gjelin, të cilin e kemi pastruar paraprakisht, e vendosim në një tenxhere me ujë të vluar për të kryer procesin e zierjes. Në ujë kemi shtuar 2 lugë çaji kripë dhe piper.

Artikull me interes :   Pasta me pesto rrepash

Ndërkohë që gjeli kryen procesin e zierjes, ne përgatisim salcën e gështenjave. Pasi është zier plotësisht, e vendosim në një tavë të cilën e kemi lyer me gjalpë dhe e fusim në furrë të piqet në temperaturën 180 gradë celsius. Pjekja kryhet si një proces i ngadaltë, në mënyrë që të jetë e njëtrajtshme.

Në një tjetër enë kemi hedhur 200 gramë gjalpë, të cilin e përziejmë me 50 gramë miell. Në masën e krijuar shtojmë lëngun e gjelit, të cilin e kemi hequr në një anë gjatë procesit të zierjes. I trazojmë derisa të krijohet një masë homogjene. E lëmë të ziejë për 2-3 minuta.

Gështenjat, të cilat më parë i kemi zier dhe qëruar, i shtypim derisa të krijojnë një masë, të cilën do t’ia shtojmë salcës së përgatitur.

Artikull me interes :   Ketchup mund të sjellë crregullime në mëlçi, pankreas, sistemin imunitar dhe tru

E trazojmë në mënyrë që mos të na krijojë kokrriza, shtojmë 3-4 thelpinj hudhra të shtypura, 2 lugë kafeje me kripë dhe piper sipas dëshirës.

Salca e përgatitur i shtohet sipër mishit të gjelit të servirur në pjatë.

Ju bëftë mirë!

Burimi: Agjencia Telegrafike Shqiptare