Ushqime

Luleshtrydhet, e kuqja e tryezës së pranverës

Të bukura për të parë, të shkëlqyera për të ngrënë dhe të mira për shëndetin e bukurinë: luleshtrydhet janë ëmbëlsia më e lumtur e pranverës.

Forma e tyre si zemër dhe ngjyra e gjallë kënaqin syrin dhe nxisin nepsin.; edhe pse kanë një shije të ëmbël luleshtrydhet përmbajnë pak kalori dhe janë me të vërtetë ideale për një dietë dobësimi.
Ato janë të pasura me cilësi të shëndetshme dhe përdoren edhe në kozmetikën e bërë vetë.

A janë vërtet një frut? – Në fakt jo. Edhe në qoftë se, nga pikëpamja ushqyese, ato konsiderohen një frut, luleshtrydhet në terma strikte botanike janë një tufë lulesh: frutat e vërteta janë në fakt fara që shihen në sipërfaqe. Luleshtrydhet që zakonisht gjejmë janë zakonisht një kryqëzim në mes varieteteve të ndryshme europiane dhe amerikane. Sipas legjendës, luleshtrydhet kanë lindur nga lotët e Venusit, perëndeshë e bukurisë dhe dashurisë, e pikëlluar nga vdekja e Adonis-it të dashur. Lotët, duke rënë në tokë janë kthyer në zemra të vogla të kuqe, në luleshtrydhe.

Artikull me interes :   Ushqimet që ndikojnë në shëndet dhe rregullojnë PH në trup

Cilësitë ushqyese – Luleshtrydhja është e pasur me vitaminë C dhe flavonoide, ku pesë luleshtrydhe përmbajnë këtë vitaminë sa një portokall. Këto substanca kanë veti të rëndësishme antioksiduese: luftojnë radikalet e lira dhe plakjen e qelizave. Prandaj ato janë të dobishme si anti-plakje, por gjithashtu për të forcuar sistemin imunitar dhe për të mbrojtur sistemin kardiovaskular. Ata gjithashtu promovojnë prodhimin e kolesterolit “të mirë” dhe stabilizojnë presionin e gjakut. Luleshtrydhe janë shumë të pasura me ujë dhe përmbajnë më pak kalori: 100 gramë fruta sjellin më pak se 30. Në anën tjetër ato janë gjithashtu të dobishme sepse përmbajnë substanca që ndihmojnë në aktivizimin e metabolizmit të yndyrave dhe në sajë të fibrave zvogëlojnë absorbimin e tyre. Ato janë pra ëmbëlsira ideale, me kusht që t’i shijoni ato të përziera me lëng limoni dhe pa shtuar sheqer.

Për lëkurën – Luleshtrydhet jo vetëm janë të mira për të ngrënë , por janë të përdorura edhe për kozmetikën e bërë vetë. Mund të përdoren për një scrub natyral, i përshtatur për fytyrën. Mjaftojnë dy luleshtrydhe të shtypura, disa lugë miell orizi dhe pak ujë për të krijuar një masë për ta vendosur në fytyrë për pak minuta dhe më pas e shpëlani me ujë. Ose mund ti prisni në feta të holla dhe ti vendosni në fytyrë.

Burimi: Agjencia Telegrafike Shqiptare