Ushqime

Kivi, të mirat pastruese, kozmetike dhe terapeutike

Kivi përmban shumë të mira laksative, kozmetike dhe terapeutike. Kjo frutë njihet veçanërisht për kapacitetin për të ndihmuar në tretje falë përmbajtjes së lartë të fibrave, por përmban edhe shumë kripëra minerale dhe vitamina, sidomos vitaminën C.

Kivi jep efekte pozitive edhe te sistemi imunitar, duke e forcuar atë ndërsa lufton edhe radikalet e lira. Duhet të merrni në konsideratë edhe karakteristikat ushqyese të kësaj frute, pasi janë një “ilaç” i mirë kundër lodhjes. Kivi bën mirë, por nuk duhet të nënvlerësohen kundërindikimet në zorrë. Le të shohim më në detaje të gjitha mundësitë ushqyese dhe përfitimet e kësaj frute.

Të mirat pastruese dhe ushqyese

Kivi bën mirë, pasi përmban shumë kripëra minerale dhe vitamina. Kripërat minerale që përmban si fosfori, kalciumi dhe kaliumi, e bëjnë kivin ideale për t’i dhënë sa më shumë energji organizmit. Konsumimi i tij këshillohet veçanërisht në dietat e sportistëve, sepse ndihmon në sforcot fizike.

Në fakt, përllogaritet se 100 gramë kivi janë në gjendje që të furnizojnë trupin me 40-60 kilokalori. Kivi përmban një sasi të madhe vitaminash, sidomos C dhe E, kjo e fundit ka një rëndësi të madhe për mirëqenien fizike, sepse ndihmon në luftimin e radikaleve të lira. Sezoni i kivit është në periudhën mes tetorit dhe nëntorit.

Artikull me interes :   A i përcakton ngjyra kaloritë dhe proteinat e mishit?

Të mirat kozmetike dhe terapeutike

Kivi bën pjesë te frutat që reduktojnë sasinë e kolesterolit në gjak, dhe rregullon edhe tensionin e gjakut. Por jo vetëm kaq, kjo frutë ka edhe shumë të mira kozmetike: pastron dhe rifreskon lëkurën. Kivi parandalon shfaqjen e rrudhave (rreth syve dhe buzëve) falë përmbajtjes së polifenolit. Për këtë arsye, shumë produkte për fytyrën dhe trupin realizohen me ekstraktin e kivit. Kivi lufton edhe problemet me mbajtjen e ujit. Duket se kivi është ideal edhe kundër depresionit, sepse falë përmbajtjes, nxit edhe sistemin nervor.

Një studim ka treguar se kivi mund të parandalojë sëmundje në rrugët e frymëmarrjes dhe në veçanti është dëshmuar efikas te fëmijët. Hulumtimi ka treguar se 5 deri 7 porcione kivi në javë, mund të reduktojnë kollën me 27 për qind. Kivi përmban luteinë dhe zeaksantinë, elemente të cilat në formë natyrale gjenden në syrin njerëzor.

Artikull me interes :   Vaji i ullirit, lëngu i mrekullive

Luteina ndihmon në filtrimin e dritës së dëmshme të kaltër, çka ndihmon në parandalimin e sëmundjes së syrit që shkaktohet nga plakja. Nëse doni të dini se sa kivi këshillohen të hahen në ditë, kini parasysh se dy kokrra të kësaj frute janë masa e duhur: paraqesin një funksion parandalues për aneminë dhe diabetin. Por është e nevojshme gjithsesi që t’i kushtoni vëmendje reaksioneve të mundshme alergjike. Kivi nuk është i rekomandueshëm në rastin e divertikolosës (sëmundje në zorrën e trashë).

Diçka më tepër për kivin

Kjo pemë ekzotike vjen nga Kina dhe konsiderohet si frutë kombëtare kineze. Është e lëngshme, është e butë dhe me fara të zeza. Kivi është një nga ushqimet më të shëndetshme. Është i pasur me antioksidantë dhe përmban vitaminë C dhe në sasi më të madhe krahasuar me portokallin. Është burim i pasur me kalium, fibra, vitamina A dhe E. Për sa i përket gjeografisë së shpërndarjes së kivit në botë, dy hemisferat dhe shtatë kontinentet përbëjnë gjeografinë e përhapjes së kivit.

Nga Zelanda e Re, prodhimet e para të eksportit filluan më 1952. Ishte një ngarkesë vetëm prej 13 tonësh që u nis drejt Anglisë dhe disa vite më vonë u eksportuan edhe drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës e më pas edhe në Europë.

Artikull me interes :   Vlerat ushqyese të shalqirit

Kalifornia është shteti i parë i SHBA-së që e kultivoi këtë frutë. Ndërsa në Europë, kivi u përhap gjerësisht në fund të viteve ’60 e në fillim të viteve ’70. Në fillim në Francë e më pas në Itali, Spanjë, Greqi. Pak më vonë, kivin e gjejmë edhe në vendet e ish-Jugosllavisë, rreth e rrotull nesh.

Përveç vendeve europiane, kjo bimë kultivohet edhe në Amerikën Latine. Padyshim se kivin e gjejnë edhe në tregjet tona. Kivi rritet edhe në Kamboxhia, Vietnam e Laosin Jugor. Edhe Turqia eksporton fruta kivi. Në Iran e konsiderojnë si produktin më të shëndetshëm në botë, sepse nuk përmban pesticide kimike.

Burimi: Gazeta-Shqip.com