Ngrënia e kikirikëve heq rrezikun e alergjive te fëmijët
Shtatzënia
Për të reduktuar mundësinë që foshnjës së palindur t’i zhvillohet alergjia nga frutat e thata, e veçanërisht nga kikirikët, nëna duhet ta konsumojë këtë lloj bishtaje patjetër gjatë shtatzënisë
Alergjitë, të cilat shkaktohen nga ushqimi, po bëhen gjithnjë e më të përhapura, sidomos te gjenerata e re. Në fakt, janë të shumtë fëmijët që vuajnë nga ky lloj shqetësimi, apo në veçanti nga alergjia e kikirikëve. Ashtu si edhe për shumë probleme të tjera, të cilat kanë të bëjnë me shëndetin, shpesh mënyra më e mirë për t’i kuruar është parandalimi. Edhe në këtë rast, është e mundur që kjo lloj alergjie të parandalohet. Këtë gjë mund ta bëjë direkt nëna kur është shtatzënë.
Sipas një studimi të ri, ngrënia e frutave të thata nga ana e nënës gjatë shtatzënisë heq rrezikun e alergjive te pasardhësi. Pra ajo bëhet një mundësi evitimi i këtij problemi te fëmija. Këtë e mbështesin hulumtuesit e “Boston Children’s Division of Allergy and Immunology”, të koordinuar nga dr. Mishel Xhang (Michael Jang), të cilët kanë studiuar marrëdhëniet mes dietës së nënës dhe zhvillimit të alergjive ushqimore te fëmijët. Për ta bërë këtë, ata analizuan një sasi diskrete të dhënash të marra nga “Growing Up Today Study”, që përfshinte të dhënat për 8205 fëmijë, nga të cilët, 140 vuanin nga alergjia e kikirikëve dhe e frutave të tjera të thata.
Pas analizave të para, hulumtuesit kanë ekzaminuar dietën e ndjekur nga nënat përpara, gjatë dhe pas shtatzënisë si dhe atë të fëmijëve. Në veçanti ata u përqendruan mbi konsumimin e kikirikëve dhe në përgjithësi në atë të frutave të thata. Pas kësaj faze, ata vazhduan me kontrollin e të dhënave dhe të kushteve shëndetësore të zhvilluara nga pasardhësit.
Rezultatet përfundimtare të studimit, të botuara në revistën “JAMA Pediatrics”, treguan se norma e alergjisë nga kikirikët ishte dukshëm më e ulët te fëmijët e studimit, tek i cili nënat hëngrën kikirikë gjatë shtatzënisë. Pra ekziston mundësia për të parandaluar këtë shqetësim në një mënyrë shumë të thjeshtë, duke u ruajtur nga të gjitha problemet të cilat mund hasen nga një fëmijë që vuan nga alergjia.
Alergjitë e ushqimeve
Alergjitë nga ushqimet janë reaksion i sistemit imunitar ndaj një ushqimi të caktuar. Sistemi imun është një rrjet kompleks që bashkon rrjetin e qelizave të veçanta dhe indeve, të cilat ndihmojnë në mbrojtjen e trupit ndaj substancave të panjohura.
Te njerëzit me alergji, sistemi imunitar i keqinterpreton disa gjëra, që zakonisht janë të parrezikshëm si trupa të huaj apo të rrezikshëm potencialisht. Si rezultat, sistemi imunitar krijon substanca të tilla si antitrupat IgE dhe histamina, të cilët çlirohen në rrugët e gjakut për t’i luftuar këto substanca të huaja apo potencialisht të rrezikshme. Kjo fillon si reagim nxitës në pjesë të ndryshme të trupit, dhe zhvillon simptomat e alergjisë. Alergjitë nga ushqimet janë shumë të shpeshta, të përhapura në 2-6% të popullsisë. Ato janë më të zakonshme te fëmijët në mes 2 muajsh dhe 3 vjeç.
Ushqimet që më së shumti shkaktojnë alergji janë: qumështi i lopës, vezët, frutat e thata (sidomos kikirikët), gruri, soja dhe butakët. Simptomat tek njerëzit me alergji ushqimi, shpesh përhapen pas konsumimit të ushqimit. Te disa fëmijë, prekja apo madje edhe aroma e ushqimit mund të shkaktojë reaksion alergjik. Megjithëse intoleranca e ushqimit ndonjëherë mund të duket si alergji, por në të vërtetë nuk është e tillë.
Në fakt, sistemi imunitar i trupit as nuk prodhon antitrupa. Në vend të kësaj, nxitësit lokalë reagojnë në përhapjen në zorrë kur konsumohen ushqime të caktuara. Intoleranca e ushqimit varet nga sasia e konsumuar, që domethënë fëmija mund të ketë konsumuar sasi të vogla të ushqimit duke mos reaguar fare në to. Disa ushqime që mund të shpërthejnë në intolerancë janë qumështi i lopës, frutat që përmbajnë citron, domatet dhe çokollata.
Burimi: Gazeta-Shqip.com