Kafeja, produkti i radhës që do të shtrenjtohet me 10-15 lekë
Reaksioni zinxhir i rritjes së çmimeve pritet të prekë së shpejti edhe kafenë. Përfaqësues nga baret dhe restorantet thonë se shtrenjtimi vjen si pasojë e rënies së konsumit si dhe rritjes së çmimit të lëndës së parë që vjen nga importi.
Kafeja, ndër produktet më popullore e njëherazi më të konsumuara nga shqiptarët pritet të pësojë rritje të çmimit me 10 deri në 15 lekë.
Enri Jahaj, Kryetari i Shoqatës së Bareve dhe Restoranteve tregon se shtrenjtimi me 10 deri në 20 për qind do vijë për tre arsye:
“Kemi një ofertë të lartë kundrejt një kërkese të ulët dhe tregu duhet të normalizohet. Lëndët e para po rriten dita-ditës dhe automatikisht sjell rritjen e çmimeve. E treta është që xhiro e munguar sjell rritje të çmimeve se fitimi i munguar duhet rikuperuar”.
Por, nga kur do duhet të paguajmë më shumë për produktin me të cilin për shumëkënd nis dita?
“Unë besoj që shumë shpejt, duke pasi bursa për kafen tregon që nuk e kemi pasur vit të mirë për kafen tregon që do të rritet. E para do rritet lënda e parë, ose oksigjeni i konsumatorit tonë që është kafja dhe pastaj të gjitha në rritje”, shprehet Jahaj.
Rritja e çmimit të kafesë si dhe produkteve të tjera të bareve dhe restoranteve vjen si reaksion zinxhir i shtrenjtimit të bukës si dhe produkteve të tjera të shportës.
Burimi: A2 News