Harrojeni kasapin, mishi tani do të printohet në 3D, brenda vitit në treg
Duket si një biftek, shijon pothuajse si një biftek, por në ndryshim me biftekun që jemi mësuar të njohim, është i printuar me një printer 3D.
Kompania italo-spanjolle Novameat ka deklaruar se së shpejti do të hedhë në treg riprodhimin më perfekt të mishit, me bazë bimore.
Deri më tani, edhe pse tregu i të ashtuquajturit “mish alternativ” ka marr hov dhe shënon miliarda dollarë investime, është përqendruar kryesisht tek elementet e përbëra dhe më të thjeshta, si mishi i grirë, qoftet, salsiçet etj, por kurrë nuk ishte shkuar deri te llokmat e mishit, dhe prerjet më të preferuara nga restorantet.
Kompania e drejtuar nga inxhinieri italian, Giuseppe Scionti, ka si objektiv tregtimin e produkteve të tyre brenda vitit, ndërkohë që sipas tyre koha kur në çdo shtëpi do ketë një printer që do të prodhojë ushqim është ende e largët. Por në atë drejtim po shkohet, për arsye të ndryshme.
“Mendoj që pas 10 viteve, çmimi i mishit tradicional do të rritet shumë, për shkak të kërkesës së shtuar të vendeve si Kina dhe India, që do të çojë industrinë përpunimit në kolaps. Pas 50 viteve, mendoj se në vendet e përparuara blegtoria e tipit industrial do të kufizohet, ndërkohë që pas një shekulli, mendoj që fëmijët do të cilësojnë blegtorinë dhe konsumimin masiv të mishit shtazor siç gjykojmë ne sot disa praktika mesjetare”, thotë vetë CEO i Novameat.
Organizata Botërore e Shëndetësisë ka cilësuar disa vite më parë mishin e kuq si produkt potencialisht kancerogjen, ndërkohë që këtë rrezik e ka zyrtarizuar për mishrat e përpunuara.
Burimi: A2 News