“Festa e Rakisë” në Boboshticë fton turistët këtë fundjavë për të shijuar prodhimet bio
Promovimi i traditës së prodhimit të rakisë së manit, ndërthurur me gatimet, muzikën tradicionale dhe objektet e shumta të kultit, e kanë kthyer Boboshticën në Korçë, jo vetëm një alternativë për banorët e zonës, por edhe një pikë referimi për zhvillimin e turizmit.
“Festa e Rakisë”, e kthyer në një festë tradicionale tashmë në paketën e festave të Korçës, do të mbledhë këtë fundjavë në fshatin Boboshticë, vizitorë, turistë dhe banorë të zonës, për të festuar dhe shijuar prodhimet lokale të zonës.
Kryetari i bashkisë së Korçës, Sotiraq Filo, u shpreh se përmes kësaj feste promovohet një prej produkteve më të njohura të kësaj zone.
Rakia e manit vazhdon të prodhohet në mënyrë artizanale në Boboshticë, duke ruajtur vlerat unike të këtij produkti aq shumë të njohur.
Filo, solli në vëmendje resurset kryesore natyrore të kësaj zone, që e kanë përfshirë atë në projektin e “100 fshatrave”.
Po ashtu, ai ndalet te investimet kryesore që janë ndërmarrë në Boboshticë, të cilat pritet ta shndërrojnë këtë zonë në një destinacion të qëndrueshëm turistik, me impakt në zhvillimin edhe të ekonomisë lokale.
Rikonstruksioni dhe zgjerimi i rrugës Korçë- Ersekë, ku përfshihet edhe rruga që të çon në Boboshticë, sipas Filos, e bën këtë zonë lehtësisht të aksesueshme për vizitorët vendas dhe të huaj.
Gjithashtu tha Filo, parashikohet ndërtimi i infrastrukturës mbështetëse për aktivitete rekreative dhe sportive, promovimi i produkteve tradicionale, ngritja e fermave agroturistike, promovimi i artizanatit dhe i festave lokale.
Burimi: Agjencia Telegrafike Shqiptare