Evente

Festa e lakrorit në Polenë, promovimi i kuzhinës tradicionale korçare

Bashkia e Korçës organizon më 11 shtator, për të trembëdhjetin vit radhazi, në fshatin Polenë “Festën e Lakrorit”, një ndër gatimet më të spikatura tradicionale, që njihet nga hera në këtë krahinë të vendit.

Kreu i bashkisë së Korçës, Sotiraq Filo shprehet se, “në këtë festë ndërthuret gatimi tradicional me vallet popullore, lojërat dhe shumë elementë të tjerë që ruajnë dhe promovojnë traditën korçare”.

Qytetarë, vizitorë dhe turistë do të bashkohen festës në fshatin Polenë, për të shijuar lakrorin e sapopjekur në saç dhe për t’u argëtuar në shoqërinë e njëri-tjetrit.

Lakrori me dy petë i pjekur në saç, një prej gatimeve më të veçanta të zonës së Korçës, për të 13-in vit radhazi ofrohet për të apasionuarit e kulinarisë përmes “Festës së lakrorit”.

Artikull me interes :   Food & Drink Festival 2017

Kjo festë është sjellë në kuadrin e aktiviteteve, që organizon Bashkia e Korçës, për të promovuar zonën, traditën e kuzhinës korçare dhe është një vlerë e shtuar për sezonin turistik të këtij fillim shtatori.

Sipas kryebashkiakut Filo, “Festa e lakrorit” është shndërruar në një traditë të përvitshme që e kthen Korçën në epiqendrën e festimeve turistike”.

Burimi: Agjencia Telegrafike Shqiptare